Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi se kryeministri Edi Rama “zbuloi veten” kur tha publikisht se kishte refuzuar tre herë dorëheqjen e zëvendëskryeministres Belinda Balluku.
Berisha e cilësoi deklaratën e Ramës si “mashtrim të turpshëm” dhe “cinizëm ekstrem”, duke pretenduar se mospranimi i dorëheqjes lidhet me frikën se Balluku “do ta marrë me vete”.
Sipas tij, pretendimi se Balluku ka paraqitur dorëheqjen tre herë përbën një kundërthënie, ndërsa shtoi se në një debat të zhvilluar në Kryeministri ajo ka kundërshtuar dorëheqjen.
Berisha kritikoi gjithashtu krahasimet që Rama bëri me Gjermaninë dhe Danimarkën, duke theksuar se në asnjë vend, pavarësisht nivelit të zhvillimit, ministrat “nuk kanë të drejtë të vjedhin apo të mbrohen me ligj”.
Deklaratat e tij vijnë në kuadër të përplasjes politike mes opozitës dhe qeverisë lidhur me hetimet dhe akuzat për korrupsion ndaj zyrtarëve të lartë.
