Presidenti i Serbisë, Aleksander Vucic, ka reaguar në 18-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, duke e cilësuar njohjen e saj si hapjen e “Kutisë së Pandorës” të padrejtësisë dhe shkatërrimit të shteteve sovrane.
Në një intervistë për mediat serbe, Vuçiç u shpreh se pas 18 vitesh duhet analizuar se sa, sipas tij, “katastrofike” kanë qenë pasojat e vendimeve të marra në vitet 1999 dhe 2008, jo vetëm për Serbinë, por edhe për Evropën dhe rendin botëror.
Ai akuzoi NATO-n, Bashkimin Europian dhe SHBA-në se në atë periudhë vepruan duke anashkaluar të drejtën ndërkombëtare, duke pretenduar se vendimet u morën nga “të fuqishmit” pa respektuar sovranitetin e Serbisë.
Vuçiç theksoi se, sipas tij, periudha 1999–2008 shënoi fillimin e dobësimit të rendit ndërkombëtar. Megjithatë, ai pranoi se edhe Serbia ka bërë gabime në vitet ’90 dhe 2000, duke përmendur konfliktet e brendshme politike dhe mungesën e një lidershipi të fortë në atë kohë.
“Çdo vit po bëhet më e vështirë, por ata nuk arritën ta thyenin Serbinë”, u shpreh ai.
