Deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi, ka denoncuar kushtet në Urgjencën e Qendra Spitalore Universitare Nënë Tereza, duke publikuar një foto ku shihet një paciente me serum në dorë, e shtrirë në karriget e korridorit.
Sipas saj, gruaja po merr trajtim në ambiente të papërshtatshme, pa shtrat dhe pa kushte minimale dinjitoze për një pacient. Në reagimin e saj, Vokshi e cilëson situatën si pasqyrë të gjendjes së sistemit shëndetësor publik.
“Shëndetësia nuk është luks. Pacientët nuk janë statistika. Janë prindërit tanë, motrat tona, njerëzit tanë,” shprehet ajo, duke kërkuar përgjegjësi dhe ndërhyrje të menjëhershme.
Rasti ka rikthyer debatin mbi mbingarkesën e urgjencave dhe kushtet infrastrukturore në spitalet publike, ndërsa pritet reagim nga autoritetet për situatën e denoncuar.
