Ka nisur grumbullimi i qytetarëve në Sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë për protestën me moton “Drejtësi, jo politikë”, e organizuar në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë.
Protesta është thirrur nga platforma “Liria ka Emër”, e cila e ka cilësuar aktivitetin si një manifestim qytetar në mbrojtje të dinjitetit dhe luftës çlirimtare. Organizatorët kanë bërë thirrje për pjesëmarrje nga të gjitha trevat shqiptare, ndërsa në shesh pritet të jenë të pranishëm edhe përfaqësues politikë nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut.
Tubimi përkon me 18-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës dhe ka marrë mbështetje të gjerë publike. Për këtë arsye, transporti publik në kryeqytet është ofruar falas gjatë ditës për qytetarët që marrin pjesë në marsh.
Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, si dhe ish-deputeti Rexhep Selimi, po përballen me akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit nga Dhomat e Specializuara në Hagë. Të katërtit janë deklaruar të pafajshëm.
