Një 22-vjeçar shqiptar, Lorik Abazi, ka humbur jetën pas një sulmi me thikë në Croydon, Angli. Ngjarja e rëndë ka ndodhur të dielën, ndërsa autoritetet britanike po vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave.
Sipas mediave britanike, tre persona janë arrestuar si të dyshuar për përfshirje në ngjarje: dy vajza 25 vjeç dhe një 28-vjeçar. Njëra prej vajzave është liruar me kusht, ndërsa hetimet ndaj të tjerëve vijojnë.
Po ashtu, dy të rinj 21-vjeçarë janë gjetur me plagë të shkaktuara nga mjete prerëse. Njëri prej tyre ndodhet në spital me lëndime që mund të jenë kërcënuese për jetën, ndërsa tjetri është marrë në paraburgim pasi është trajtuar mjekësisht.
Policia britanike ka bërë thirrje për bashkëpunim nga qytetarët, duke kërkuar që kushdo që ka informacion, pamje apo video që lidhen me ngjarjen, t’i vërë në dispozicion të hetimit. Rrethanat dhe motivi i konfliktit mbeten ende të paqarta.
