Përplasja mes kryeministrit Edi Rama dhe Prokurorisë së Posaçme (SPAK) për ndryshimet e propozuara në Kodin e Procedurës Penale ka marrë jehonë edhe në mediat ndërkombëtare. Agjencia prestigjioze “Reuters” i ka kushtuar një artikull debatit politik dhe institucional në Shqipëri, duke theksuar se nisma e qeverisë synon të kufizojë mundësinë e pezullimit të ministrave gjatë hetimeve penale.
Sipas raportimit të “Reuters”, qeveria shqiptare planifikon ndryshime ligjore për të mbrojtur ministrat nga pezullimi ndërsa janë nën hetim, çka ka sjellë akuza nga opozita se po dëmtohet pavarësia e gjyqësorit dhe ndarja e pushteteve.
Rasti Balluku dhe përplasja me SPAK
Në artikull përmendet edhe rasti i zëvendëskryeministres Belinda Balluku, e pezulluar nga një gjykatë pas kërkesës së SPAK lidhur me hetimet për një tender infrastrukturor – akuza të cilat ajo i ka mohuar.
“Reuters” vëren se çështja ka krijuar tension mes SPAK-ut dhe kryeministrit, i cili ka kritikuar atë që e konsideron tejkalim të kompetencave nga ana e drejtësisë, veçanërisht për masat e paraburgimit.
Integrimi në BE nën vëzhgim
Në analizën e saj, agjencia ndërkombëtare thekson se Shqipëria synon anëtarësimin në Bashkimin Evropian deri në vitin 2030, por Brukseli ka kërkuar më shumë progres në luftën kundër krimit dhe korrupsionit. Çdo zhvillim që prek pavarësinë e drejtësisë konsiderohet me ndjeshmëri në këtë proces.
Reagimet e opozitës
Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, deklaroi se ndryshimet ligjore synojnë t’i japin kryeministrit “një mburojë plus” nga SPAK, duke argumentuar se nisma vjen në mes të hetimeve aktive ndaj zyrtarëve të lartë.
Ndërsa kreu i PD-së, Sali Berisha, e cilësoi propozimin si “goditje ndaj shtetit ligjor”, duke pretenduar se përmes amendamenteve synohet shmangia e përgjegjësisë penale nga zyrtarët e lartë.
Po ashtu, deputeti demokrat Belind Këlliçi deklaroi se nisma krijon një “kastë të paprekshme” mbi ligjin dhe bëri thirrje për mobilizim qytetar kundër ndryshimeve.
Qëndrimi i Ramës
Nga ana e tij, kryeministri Rama ka argumentuar se pezullimi i një ministri gjatë hetimit prek funksionimin e institucionit dhe nuk duhet të ndodhë pa një vendim përfundimtar. “Momenti kur një ministër shkarkohet, nuk është vetëm një person i shkarkuar, por e gjithë puna e atij institucioni”, është shprehur ai para deputetëve të shumicës.
Debati për ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale vijon të mbetet në qendër të vëmendjes politike dhe mediatike, ndërsa pritet që nisma të diskutohet në Kuvend në ditët në vijim.
