Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka uruar nga qelia 18-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, duke shprehur mirënjohje për të gjithë ata që kontribuuan në shpalljen e shtetit të pavarur.
Në një mesazh të publikuar në rrjetet sociale, Meta vlerëson Heronjtë, Dëshmorët, luftëtarët dhe etërit e Pavarësisë, të cilët, sipas tij, me sakrificën dhe përkushtimin e tyre bënë realitet ëndrrën shekullore të lirisë.
Ai ka shprehur nderim të veçantë për Presidentin historik Ibrahim Rugova dhe për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, duke theksuar rolin e tyre në rrugën drejt shtetësisë.
Sipas Metës, Pavarësia e Kosovës ka dëshmuar se është një faktor i rëndësishëm stabiliteti dhe paqeje në rajon. Ai shton se Kosova sot qëndron si shembull i demokracisë funksionale, zgjedhjeve të lira dhe institucioneve që japin llogari para qytetarëve.
“Lavdi përjetë atyre që sakrifikuan për lirinë”, përfundon mesazhin e tij Meta.
