Tregu vendas po përballet me një valë të re shtrenjtimi, ku përveç karburanteve, rritje të ndjeshme kanë pësuar edhe produktet ushqimore, veçanërisht vaji i lulediellit.
Sipas importuesve, gjatë muajit mars çmimi me shumicë i vajit është rritur me rreth 7-8%, duke reflektuar kostot më të larta të furnizimit nga jashtë vendit. Në muajin shkurt, para përshkallëzimit të tensioneve në Lindjen e Mesme, vaji tregtohej me shumicë nga 176 deri në 178 lekë për litër.
Nga java e tretë e marsit, çmimi është rritur në 182-183 lekë për litër, ndërsa pritet një tjetër rritje prej rreth 7 lekësh për litër, duke e çuar çmimin deri në 190 lekë për litër.
Importuesit shpjegojnë se kjo rritje vjen si pasojë e shtrenjtimit të produktit nga fabrikat prodhuese, kryesisht në Hungari, si dhe rritjes së ndjeshme të kostove të transportit. Vetëm transporti i një ton vaji është rritur nga 140-160 dollarë në rreth 200 dollarë, pas nisjes së konfliktit në rajon.
Po ashtu, rritja e çmimeve të karburanteve dhe energjisë ka ndikuar drejtpërdrejt në kostot e prodhimit të rafinerive, duke reflektuar një tjetër shtesë në çmimin final.
Ekspertët paralajmërojnë se mungesa e prodhimit vendas të vajit ushqimor e bën tregun shqiptar shumë të varur nga importet, duke e ekspozuar ndaj luhatjeve të forta të çmimeve ndërkombëtare.
Një situatë e ngjashme u regjistrua edhe në vitin 2022, kur pas luftës Rusi-Ukrainë, çmimi i vajit arriti deri në 400 lekë për litër në tregun me pakicë, duke dëshmuar ndjeshmërinë e këtij produkti ndaj krizave globale.
Aktualisht, Shqipëria nuk ka kapacitete funksionale për përpunimin e vajit të papërpunuar, pasi fabrikat ekzistuese janë kthyer kryesisht në ambalazhuese të produkteve të importuara, çka e kufizon më tej mundësinë për të zbutur rritjen e çmimeve në tregun vendas.
