Drejtori i Komunikimit në Partinë Demokratike, Alfred Lela, ka reaguar ashpër ndaj ndryshimeve ligjore të propozuara nga mazhoranca për kufizimin e pezullimit të zyrtarëve të lartë nga drejtësia. Sipas tij, kryeministri Edi Rama po hedh “lopatat e fundit të dheut mbi varrin e ndarjes së pushteteve”, duke u shndërruar në “varrmihësin e demokracisë”.
Në një intervistë televizive, Lela deklaroi se lëvizjet e fundit të Ramës nuk synojnë forcimin e pavarësisë së ekzekutivit, por janë të nxitura nga frika. Ai theksoi se reagimi i ashpër i kryeministrit lidhet drejtpërdrejt me hetimet ndaj zv/kryeministres Belinda Balluku dhe me rrezikun që, sipas tij, i afrohet vetë Ramës.
“Është e qartë zemërata e kryeministrit këto javë, që përkojnë me lakun që po i lidhet në fyt Belinda Ballukut dhe, rrjedhimisht, edhe vetë Ramës si partner në shkelje ligjore,” u shpreh Lela, duke shtuar se bëhet fjalë për një përpjekje finale për të bllokuar çdo institucion që tenton t’i afrohet rrethit të ngushtë të pushtetit.
Ai vuri në dukje ndryshimin e qëndrimit të Ramës ndaj drejtësisë, duke kujtuar se më parë ai i cilësonte institucionet e reja të drejtësisë si “heronj”, ndërsa sot i sulmon dhe i anatemon. Sipas Lelas, ky ndryshim lidhet me interesin personal të kryeministrit për të mbrojtur veten.
Lela theksoi se Balluku nuk është zyrtarja e parë e lartë që përballet me drejtësinë, duke përmendur raste të tjera si Arben Ahmetaj, Ilir Beqja apo Alqi Bllako, por reagimi i fortë i Ramës, sipas tij, tregon se “kjo nuk ka të bëjë me fatin e Ballukut, por me fatin e vetë Ramës”.
Sipas përfaqësuesit të PD-së, ndërhyrjet ligjore për të kufizuar pezullimin e funksionarëve kushtetues përbëjnë një përpjekje për të krijuar mburojë politike ndaj hetimeve dhe për të dobësuar balancën mes pushteteve.
