Asambleja e Përgjithshme Zgjedhore e Federatës Shqiptare të Futbollit ka rikonfirmuar Armand Dukën në postin e Presidentit për një mandat të ri katërvjeçar. Duka ishte i vetëm në garë dhe mori votë unanime nga të gjithë anëtarët me të drejtë vote.
Procesi zgjedhor u zhvillua në ambientet e “Shtëpisë së Futbollit”, ku përfaqësuesit e anëtarësisë konfirmuan për herë të shtatë besimin ndaj tij në drejtimin e institucionit më të lartë të futbollit në vend.
Në fjalën e tij pas votimit, Duka falënderoi anëtarët për mbështetjen dhe theksoi se ky mandat e obligon për më shumë përkushtim në drejtim të zhvillimit të futbollit shqiptar.
“Dua t’ju falënderoj nga zemra për mbështetjen e sotme. Për mua nuk është thjesht një votim, është një vlerësim që më detyron të jem më i përkushtuar në shërbimin tuaj, në shërbim të FSHF. Do të bëjmë të pamundurën që loja jonë, kampionati ynë, zhvillimi i infrastrukturës dhe stabiliteti financiar i FSHF-së të jenë në nivelet maksimale,” u shpreh ai.
Duka vendosi si objektiv madhor kualifikimin e Kombëtares shqiptare në Kupën e Botës 2026, duke i uruar suksese trajnerit Sylvinho dhe ekipit kombëtar.
Me këtë mandat të ri, ai vijon të mbetet figura më jetëgjatë në drejtimin e Federatës Shqiptare të Futbollit.
