“Urdhër-arrestet si ftesa dasmash”/ Rama akuzon prokurorët: Administrata nuk është mish për top për të mbushur CV-të

Data

Kryeministri Edi Rama ka vijuar kritikat ndaj sistemit të drejtësisë, në mbledhjen e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, duke u ndalur veçanërisht te çështja e kërkesës së SPAK për arrestimin e zëvendëskryeministres Belinda Balluku dhe, sipas tij, te mënyra se si po trajtohen zyrtarët e administratës publike.

Rama u shpreh se në disa raste janë ndërmarrë veprime që krijojnë trysni të panevojshme dhe ndikim negativ në opinionin publik. Ai përmendi kontrollet e shumta të ushtruara në një ditë festive, duke theksuar se veprime të tilla kanë edhe efekt psikologjik në shoqëri.

“Të kryesh 40 kontrolle banesash ditën e Vitit të Ri do të thotë që nuk ke asnjë kuptim për efektin psikologjik që ka për shoqërinë”, deklaroi Rama.

Kreu i qeverisë theksoi se punonjësit e administratës nuk duhet të trajtohen si “mish për top” dhe të shënjestrohen, sipas tij, për të krijuar statistika apo për të forcuar profilin profesional të prokurorëve.

“Punonjësit e administratës nuk janë shënjestra për të mbushur prokurorët CV-në. Është e papranueshme ajo që ndodh në disa prokurori rrethesh, me fletët e arrestit që plotësohen si ftesa për dasmë”, u shpreh ai.

Rama theksoi se mazhoranca mbetet e angazhuar për një drejtësi të pavarur, por shtoi se kjo duhet të funksionojë në balancë me pushtetet e tjera dhe pa cenuar funksionimin e institucioneve. Sipas tij, sfida aktuale është ruajtja e këtij ekuilibri në një fazë që ai e cilësoi si transformuese për shtetin shqiptar.

Deklaratat e kryeministrit vijnë në një klimë të tensionuar politike, teksa po diskutohet edhe nisma për ndryshime ligjore lidhur me pezullimin e zyrtarëve të lartë nga detyra.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related