Banorët e Durrësit të prekur nga projekti TID kanë reaguar me një deklaratë publike pas takimit të zhvilluar me kryeministrin Edi Rama dhe kryetaren e Bashkisë së Durrësit. Ata shprehen se projekti është vendosur të zbatohet pa u marrë parasysh kundërshtimet e tyre dhe paralajmërojnë përshkallëzim të protestës nëse kërkesat nuk merren në konsideratë.
Sipas deklaratës, gjatë takimit u theksua se projekti do të realizohet pa ndryshime, ndërsa banorëve iu ofruan tre alternativa: pranimi i një çmimi shpronësimi disi më të lartë, zhvendosja në zona periferike të përcaktuara nga autoritetet ose sistemimi i tyre në një objekt të vetëm të përzgjedhur nga Bashkia.
Banorët kundërshtojnë këtë qasje, duke pretenduar se projekti përmban mangësi dhe shkelje procedurale. Ata theksojnë se ka prona të papërfshira në listën e shpronimeve apo raste pa ekspertizë të saktë vlerësimi.
Në reagimin e tyre, ata nënvizojnë se:
– Propozimet e paraqitura nuk janë dakordësuar me ta;
– Çmimi referencë i ofruar është minimal;
– Çdo zhvendosje duhet të bëhet vetëm me pëlqimin e plotë të banorëve;
– Deri tani, sipas tyre, ofertat mbeten vetëm deklarative.
Banorët kërkojnë shtyrjen e afateve ligjore të projektit, pezullimin e shembjeve dhe shqyrtim të plotë ligjor për çdo rast individual.
Në të kundërt, ata paralajmërojnë intensifikim të protestave dhe vijim të komunikimeve në nivel ndërkombëtar, duke theksuar se kërkojnë vetëm respektimin e ligjit dhe të drejtës së pronës.
