Detaje të reja janë bërë publike lidhur me ngjarjen e rëndë të ndodhur në hotelin “Gjuta” në Tiranë, ku një 18-vjeçare dyshohet se është vetëplagosur me armë zjarri.
Sipas informacioneve paraprake, 22-vjeçari Erisjaldo Gjuta, i dashuri i të resë, ka deklaruar para hetuesve se në momentin e ngjarjes ndodhej jashtë dhomës së hotelit së bashku me të atin. Ai ka treguar se kanë dëgjuar të shtënën e armës dhe janë ngjitur menjëherë me vrap drejt dhomës, ku e kanë gjetur 18-vjeçaren të plagosur.
Sipas dëshmisë së tij, fillimisht kanë tentuar t’i japin ndihmën e parë, por duke parë gjendjen e rëndë shëndetësore, kanë vendosur ta transportojnë me urgjencë drejt spitalit.
Burime nga hetimi bëjnë me dije se arma me të cilën dyshohet se është kryer vetëplagosja i përket 22-vjeçarit dhe ende nuk është gjetur nga policia. Deri në këtë fazë, sipas të dhënave paraprake, nuk ka indicie që ngjarja të ketë pasur një dinamikë tjetër përveç asaj të vetëplagosjes.
Po ashtu, mësohet se 18-vjeçarja dyshohet të ketë tentuar edhe më herët të dëmtojë veten, duke konsumuar medikamente. Hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
