“Kryeministri më tha që qytetarët nuk janë vetëm socialistë”/ Dashnor Sula rrëfen bisedën me Edi Rama

Data

Për herë të parë pas emërimit si Kryeinspektor i Përgjithshëm, ish-deputeti demokrat Dashnor Sula ka zbuluar detaje nga biseda me kryeministrin Edi Rama dhe arsyet pse pranoi postin, pavarësisht përplasjes së gjatë politike mes tyre.

Në një intervistë televizive, Sula tha se vendimi nuk ishte i lehtë, por e konsideroi si një sfidë profesionale dhe institucionale.

“Dhunshëm u përzura dhe nuk kisha asnjë të ardhme për të dhënë kontributin tim. Zoti Rama më hodhi dorashkën dhe më paraqiti sfidën për të marrë pjesë në ndërtimin e një institucioni të shtetit shqiptar,” u shpreh ai.

Sula tregoi se Rama i kishte theksuar se qytetarët shqiptarë nuk janë vetëm socialistë, por edhe demokratë apo me bindje të tjera politike.

“Kostumin e politikanit e kam lënë në shtëpi dhe kam veshur kostumin e një nëpunësi të shtetit,” deklaroi ai, duke shtuar se detyra e re kërkon neutralitet dhe profesionalizëm.

I pyetur për reagimet nga Partia Demokratike dhe komentet e Sali Berishës, Sula zgjodhi të mos hyjë në debat politik, duke theksuar se nuk do të vazhdojë me polemika.

Sa i përket sfidave të reja, ai përmendi reformimin e sistemit të inspektimeve dhe digjitalizimin e plotë të strukturave deri në fund të vitit, me synimin për t’u shkëputur nga modeli i deritanishëm i funksionimit të administratës.

Emërimi i tij ka ngjallur debat në skenën politike, duke u parë si një lëvizje që tejkalon vijat tradicionale partiake.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related