Policia italiane ka arrestuar autorin e dyshuar për vrasjen e 26-vjeçarit shqiptar Kevin Muharremi, i cili u qëllua me armë zjarri në orët e para të mëngjesit në Montecalvoli, pranë Santa Maria a Monte, në provincën e Pizës.
Sipas hetimeve paraprake, i riu ndodhej në makinë me dy miq kur një automjet tip SUV iu afrua paralelisht dhe u qëllua me armë zjarri. Plumbi e goditi në qafë, duke i shkaktuar vdekjen.
Ngjarja dyshohet të ketë ndodhur pas një konflikti në një lokal në zonën e Capanne, në Montopoli Valdarno. Hetuesit po verifikojnë nëse ka pasur një ndjekje mes dy automjeteve përpara momentit të atentatit.
I dyshuari kryesor, gjithashtu shtetas shqiptar dhe i njohur më parë për policinë, u ndalua nga patrulla e policisë rrugore në autostradën A1, në segmentin e Arezzos. Ai është vënë në pranga dhe po merret në pyetje për të zbardhur plotësisht rrethanat e krimit.
Autoritetet italiane vijojnë hetimet për të përcaktuar motivin e saktë të ngjarjes dhe për të verifikuar nëse persona të tjerë kanë qenë të përfshirë.
