Detaje të reja kanë dalë në dritë lidhur me plagosjen e 18-vjeçares në hotelin “Gjuta” në zonën e Saukut, ngjarje e ndodhur rreth mesnatës.
Sipas burimeve policore, e reja ka qenë e vetme në dhomë në momentin kur ka marrë armën dhe është vetëqëlluar. Shtetasit Sajmir dhe Erisjaldo Gjuta, të cilët ndodheshin jashtë, kanë dëgjuar të shtënën dhe pasi kanë hyrë në dhomë, kanë konstatuar 18-vjeçaren të plagosur.
Më pas, sipas hetimeve, ata kanë njoftuar Mirvete Gjutën, nënën e 22-vjeçarit, si dhe Vladimir Gjutën, xhaxhain e tij. Dyshohet se në vend që të lajmëronin menjëherë autoritetet, kanë ndërhyrë për të pastruar vendin e ngjarjes, duke larë gjakun dhe duke fshehur armën e përdorur.
Sipas të dhënave hetimore, Mirvete Gjuta dhe Elvir Gjuta, kushëri i 22-vjeçarit, e kanë transportuar 18-vjeçaren në spital me makinë, ndërsa dyshohet se janë udhëzuar të deklaronin se e kishin gjetur të shtrirë pranë zonës së Fakultetit të Ekonomisë.
Nga hetimet rezultoi se plagosja kishte ndodhur brenda hotelit. Autoritetet bëjnë me dije se 18-vjeçarja dyshohet se ka pasur edhe më herët tentativa për vetëdëmtim.
Në pranga kanë përfunduar Mirvete dhe Vladimir Gjuta, ndërsa në kërkim janë shpallur Sajmir Gjuta, Erisjaldo Gjuta (babë e bir) dhe Elvir Gjuta. Hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të rrethanave dhe përgjegjësive ligjore.
