Projekti i aeroportit të Vlorës, i parashikuar të nisë operimet në pranverë, rrezikon të mbetet pezull për shkak të një konflikti të ashpër mes aksionerëve kryesorë të koncesionit.
Sipas gazetares investigative dhe ekspertes së ekonomisë, Ola Xama, përplasja mes kompanive Mabco Construction, e lidhur me biznesmenin Behgjet Pacolli, dhe 2A Group të Valon Ademit ka hyrë në një spirale padish dhe kundërpadish që po paralizon vendimmarrjen në shoqëri. Çështja lidhet me 47% të aksioneve, për të cilat palët kanë pretendime të kundërta, ndërsa dosja po hetohet edhe nga Prokuroria e Tiranës.
Gjykata e Apelit ka pezulluar të drejtën e votës për këtë përqindje aksionesh, duke e komplikuar funksionimin e asamblesë së shoqërisë. Ndërkohë, Mabco ka kërkuar ndryshime në statut, ndërsa pala tjetër ka reaguar me kundërpadi, duke e kthyer situatën në një “lëmsh” juridik.
Xama paralajmëron se ndërhyrja e njëanshme e shtetit, si autoritet kontraktor, mund ta çojë çështjen drejt arbitrazhit ndërkombëtar. Nëse kontrata prishet, sipas saj, shteti mund të detyrohet të paguajë minimalisht 117 milionë euro, përfshirë 56 milionë euro kredi, interesat dhe një pjesë të investimit të pretenduar nga kompanitë, që llogaritet rreth 140 milionë euro.
Ironikisht, kjo shumë do të ishte më e lartë se vetë kostoja fillestare e ndërtimit të aeroportit, e vlerësuar rreth 87 milionë euro. Ekspertja thekson se kontrata koncesionare është hartuar në mënyrë të pakujdesshme, duke lënë hapësira që sot mund të rëndojnë mbi buxhetin e shtetit.
Nga ana tjetër, përfaqësuesit e Mabco kanë deklaruar se situata aktuale i ngjan një “shpronësimi”, ndërsa kanë paralajmëruar se mund ta çojnë çështjen në arbitrazh, duke theksuar se vonesat po u krijojnë kosto të konsiderueshme financiare.
Në këto kushte, hapja e aeroportit në mars duket gjithnjë e më e pamundur, ndërsa konflikti mes ortakëve rrezikon të kthehet në një faturë të kripur për taksapaguesit shqiptarë.
