Zbardhen detaje të reja nga plagosja me armë zjarri e 18-vjeçares në një hotel në zonën e Saukut, ngjarje e ndodhur pak pas mesnate.
E reja, Natalia K., është paraqitur në Spitalin e Traumës me një plagë në zonën e shpatullës, ndërsa plumbi kishte mbetur në trupin e saj. Sipas burimeve, ajo ka deklaruar fillimisht para policisë se ishte vetëplagosur.
Megjithatë, nga veprimet hetimore ka rezultuar se në momentin e ngjarjes ajo ndodhej në të njëjtën dhomë hoteli me shtetasin Erisjan Gjuta. Pas incidentit, 18-vjeçarja është transportuar me taksi drejt spitalit dhe personat që e shoqëruan janë larguar më pas nga ambientet.
Policia ka ngritur dyshime mbi versionin e vetëplagosjes, por hetimet janë vështirësuar nga mungesa e kamerave të sigurisë në hotel, çka e bën të pamundur verifikimin e plotë të dinamikës së ngjarjes përmes pamjeve filmike.
Sipas informacioneve, i riu që ndodhej në dhomë me 18-vjeçaren është nip i Vladimir Gjutës, emër i njohur për autoritetet. Hetimet vijojnë për të sqaruar plotësisht rrethanat dhe për të përcaktuar përgjegjësitë ligjore.
