Policia e Tiranës ka zbardhur detaje të reja lidhur me plagosjen e ndodhur pak pas mesnate në një hotel në zonën e Saukut, ku një 18-vjeçare mbeti e plagosur me armë zjarri.
Sipas njoftimit zyrtar, e reja me iniciale N.K., 18 vjeçe, është paraqitur rreth orës 00:15 në spital me plagë të shkaktuar nga arma e zjarrit dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Nga hetimet paraprake dhe verifikimi i pamjeve të kamerave të sigurisë ka rezultuar se ajo dyshohet të jetë vetëplagosur brenda ambienteve të subjektit.
Në lidhje me rastin janë arrestuar në flagrancë Vladimir Gjuta, 46 vjeç, dhe Mirvete Rexhmati (Gjuta), 48 vjeçe, për veprat penale “Moskallëzim i krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.
Ndërkohë janë shpallur në kërkim tre shtetas të tjerë: S. Gj., 49 vjeç, dhe E. Gj., 24 vjeç, për “Moskallëzim i krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, si dhe E. Gj., 22 vjeç, i dyshuar edhe për “Armëmbajtje pa leje”.
Sipas policisë, këta persona dyshohet se kanë prishur provat në vendin e ngjarjes dhe nuk kanë kallëzuar krimin. Vijon puna për gjetjen dhe sekuestrimin e armës së përdorur, si dhe për kapjen e personave të shpallur në kërkim.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme hetimore.
