Drejtuesi i Departamentit për Mbrojtjen e Familjes në Partinë Demokratike, Aulon Kalaja, deklaroi në një intervistë televizive se kryeministri Edi Rama ndodhet përballë një zgjedhjeje të fortë politike: integrimi europian ose mbrojtja e zëvendëskryeministres Belinda Balluku.
Sipas tij, Ramës i janë kërkuar në Bruksel dy gjëra konkrete: të distancohet nga Balluku si provë e vazhdimësisë së reformës në drejtësi dhe të shmangë përplasjet me gjyqtarët lidhur me çështjen e pagave, duke respektuar zbatimin e ligjit. Në të kundërt, sipas Kalasë, integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian mund të vihet në pikëpyetje.
Kalaja u shpreh se tre muajt e ardhshëm do të jenë vendimtarë, ndërsa theksoi se SPAK ka kërkuar ashpërsim të masës ndaj Ballukut, duke e çuar çështjen drejt një faze më të rëndë ligjore. Ai akuzoi kryeministrin se po përpiqet të ndryshojë ligjet për të shmangur pasoja të mundshme për veten dhe bashkëpunëtorët e tij.
Duke folur për ndikimin amerikan, Kalaja përmendi bashkëpunimin me DEA-n dhe deklaroi se qeverisë shqiptare i është lënë afat deri më 26 mars për të bërë transparencë mbi paratë e drogës të investuara në ndërtim, veçanërisht në Tiranë.
Sipas tij, Rama po përpiqet të sigurojë mbështetje ndërkombëtare, por ka dështuar në përpjekjet për të siguruar kontakte në nivele të larta në SHBA, ndërsa paralajmëroi se zhvillimet e ardhshme do të jenë vendimtare për fatin politik të kryeministrit.
