Partia Socialiste shtyu votimin për projektligjin që parashikon uljen e TVSH-së në 5% për ushqimet e shportës, ndërsa opozita e cilësoi këtë si një refuzim për të lehtësuar qytetarët.
Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, deklaroi nga foltorja e Kuvendit se mazhoranca duhet të tregojë nëse përfaqëson interesin e qytetarëve apo, sipas tij, “interesa klienteliste të një pakice”.
Blushi theksoi se ulja e TVSH-së për produktet bazë është një masë që do të ndihmonte drejtpërdrejt familjet me të ardhura të ulëta, në një kohë kur çmimet vijojnë të jenë të larta.
Ai akuzoi mazhorancën se po takson produktet e domosdoshme si buka, mielli, vaji, qumështi dhe vezët më shumë sesa mallrat e luksit, duke e cilësuar këtë si një politikë që rëndon shtresat në nevojë.
Sipas tij, shtyrja e votimit tregon mungesë vullneti për të ndërmarrë masa konkrete në favor të qytetarëve.
