Fermerët e zonës së Spitenit në Lezhë dolën sot në protestë, duke akuzuar Bashkinë e Lezhës dhe Ministrinë e Bujqësisë për mungesë reagimi ndaj përmbytjeve të përsëritura që kanë dëmtuar tokat e tyre bujqësore.
Rreth 150 hektarë tokë, ku punojnë afro 100 fermerë, ndodhen nën ujë prej tre ditësh. Sipas tyre, kjo është hera e katërt brenda vitit që zona përmbytet, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme në kulturat bujqësore.
Në këtë sezon, fermerët kishin mbjellë grurë, perime dhe bimë industriale, por prezenca e zgjatur e ujit ka shkatërruar të mbjellat. Ata shprehen se nuk kanë marrë asnjë dëmshpërblim për dëmet e mëparshme.
Fermerët kërkojnë pastrimin dhe mirëmbajtjen e kanaleve kulluese, ndërtimin e një sistemi të ri për largimin e ujërave si dhe një plan të qartë kompensimi nga shteti. Ata paralajmërojnë se protestat do të vijojnë deri në gjetjen e një zgjidhjeje konkrete.
