Banorët e lagjes historike pranë amfiteatrit romak në Durrës protestuan këtë të enjte përpara Kuvendit të Shqipërisë, duke kërkuar shpronësim të drejtë dhe transparent për banesat e tyre, të cilat preken nga projekti urban i njohur si TID.
Shtëpitë e tyre pritet të shemben në kuadër të një projekti që synon rrjetëzimin urban të bulevardit “Epidamn”, përmes një marrëveshjeje mes Fondit Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit, Ministrisë së Kulturës dhe Bashkisë së Durrësit. Banorët thonë se nuk janë kundër zhvillimit të zonës historike, por kundërshtojnë vlerën e kompensimit, që sipas tyre është shumë më e ulët se çmimi real i tregut në qendër të qytetit.
“Ne jemi në shtëpitë tona prej dekadash. Nuk do të largohemi pa u kompensuar me vlerën e tregut,” tha Kujtim Cankja, një prej banorëve që preket nga projekti.
Protestuesit iu bashkuan edhe grupeve të tjera qytetarësh nga zona të ndryshme të vendit, ndërsa në Kuvend zhvillohej seanca plenare. Deputetë të opozitës dhe të partive të vogla ngritën shqetësimin për çështjen e shpronësimeve dhe kërkuan më shumë transparencë.
Sipas banorëve, në fillim të javës ata kanë marrë njoftim nga Inspektoriati i Mbrojtjes së Territorit për “lirimin vullnetar të pronës”. Ndërkohë, Këshillit Bashkiak Durrës i është paraqitur një projekt-vendim për dhënien e një bonusi financiar për familjet që do të largohen, por mbledhja është shtyrë.
Urbanistja Entela Koja, gjithashtu pronare e një banese që preket nga projekti, deklaroi se janë evidentuar mangësi ligjore dhe procedurale në zbatimin e projektit. Ajo tha se është kërkuar krijimi i një komisioni hetimor në këshillin bashkiak për të verifikuar shkeljet e pretenduara dhe pezullimi i projektit deri në sqarimin e plotë të tyre.
Një grup prej 14 familjesh kanë nisur edhe një proces gjyqësor, duke kërkuar sigurimin e padisë për të ndaluar zbatimin e projektit derisa gjykata të japë një vendim përfundimtar.
Banorët theksojnë se që prej vitit 2020, kur ka nisur projekti TID, ka munguar transparenca dhe dialogu me komunitetin. Sipas tyre, çështja nuk është kundërshtimi i restaurimit të zonës historike, por garantimi i të drejtave pronësore dhe kompensimit të drejtë.
“Me mbrojtjen e shtëpive tona po mbrojmë të drejtën e çdo qytetari për pronën e tij,” u shpreh Koja, duke paralajmëruar se nëse rasti i tyre kalon pa zgjidhje të drejtë, mund të krijojë precedent për raste të tjera shpronësimi në vend.
