Zia ka mbuluar këtë të enjte fshatin Gryksh i Madh në Peqin, ku familjarë, miq dhe bashkëfshatarë i dhanë lamtumirën e fundit Artit, Jonidës, Hajdarit dhe Xhesikës Kola, të cilët humbën jetën tragjikisht në Itali javën e kaluar.
Në oborrin e shtëpisë së familjes mbizotëronte heshtja dhe dhimbja e thellë. Të afërmit, mes lotësh, mezi gjenin fjalë për të përshkruar humbjen. “Na iku një familje e tërë… Na u mbyll dera e shtëpisë,” u shpreh një prej familjarëve, duke theksuar se Arti ishte shtylla e familjes, ndërsa Jonida zemra e saj. Fëmijët, sipas tyre, ishin gëzimi dhe shpresa e përditshme.
Qindra banorë u mblodhën për t’u solidarizuar me familjen në këtë moment të vështirë. Fqinjët e përshkruan familjen Kola si njerëz punëtorë, të qetë dhe të respektuar nga të gjithë. “Nuk kemi përjetuar kurrë një tragjedi të tillë. Është dhimbje për gjithë fshatin,” tha një banor.
Komuniteti i Grykshit të Madh sot është i bashkuar në zi, duke ndarë një humbje që ka prekur jo vetëm një familje, por një fshat të tërë. Kujtimi i katër anëtarëve të familjes Kola do të mbetet i gjallë mes atyre që i njohën dhe i deshën.
