Avokati Kujtim Cakrani ka reaguar publikisht pas incidentit të rëndë të ndodhur në Vlorë, ku u dhunua dhe u plagos me thikë në pjesën e pasme të kokës.
I ftuar në një studio televizive, Cakrani tregoi se ngjarja ndodhi në dalje të qytetit, në një pikë karburanti, dhe zgjati vetëm pak sekonda. Sipas tij, gjithçka nisi pas një debati verbal me dy persona që ndodheshin në një automjet pranë tij.
“Po furnizohesha me karburant dhe në krahun tim u afrua një makinë që nuk kishte mundësi të kalonte. Filluan të më provokonin duke thënë se kisha zënë rrugën. U thashë të prisnin në radhë, por ata përdorën gjuhë fyese, të cilës iu përgjigja. Më pas dolën nga makina dhe njëri prej tyre më goditi me thikë nga pas,” deklaroi avokati.
Cakrani theksoi se nuk i njihte autorët dhe se nuk ka konflikte të mëparshme me askënd. Ai shtoi se sulmi ndodhi brenda rreth 60 sekondave dhe se situata eskaloi papritur nga një debat verbal në dhunë fizike.
Ndërkohë, autoritetet pritet të vijojnë hetimet për identifikimin dhe kapjen e autorëve të dyshuar.
