Pas 12 orësh rrethim, Julian Cumraku dhe Hamza Uka dorëzohen para RENEA-s

Data

Pas më shumë se 12 orësh rezistencë, tension dhe negociata të vazhdueshme, Julian Cumraku dhe Erzen Uka, i njohur me emrin Hamza, janë vetëdorëzuar dje para forcave RENEA, duke iu bindur thirrjeve të të afërmve që u dërguan nga policia në fshatin Orosh të Fushë-Arrëzit. Operacioni nisi që në orën 07:00 të mëngjesit, kur banesa ku ata fshiheshin u rrethua fillimisht nga policia lokale dhe më pas, gjatë mesditës, nga njësia speciale RENEA. Të dy ata mendohet se qëndronin të fshehur në këtë banesë prej 2 muajsh. Dy të kërkuarit, Julian Cumraku dhe Hamza Uka, ishin pikasur në mëngjes nga shërbimet e Policisë së Pukës. Cumraku dhe Uka ishin prej kohësh nën vëzhgimin e Antiterrorit, teksa Erzen Uka, një ish-pjesëtar i forcave paqeruajtëse të Shqipërisë në Irak, ishte dënuar me tre vite heqje lirie nën akuzën e urrejtjes fetare.
Në vitin 2015, Uka u arrestua si i dyshuar për përgatitjen e fëmijëve dhe të rinjve për t’u bashkuar me ISIS, akuzë që aso kohe solli përplasje të forta mes Ukës dhe gjyqtarit Bibë Ndreca. Dy personat, ndonëse rrallë ishin parë në rrugët e fshatit, nuk kishin shkaktuar probleme. Madje, ata kishin frekuentuar edhe xhaminë e fshatit Kryezi, në të cilën nuk ofrohen shërbesa të rregullta për shkak të mungesës së personelit fetar.
Dyshimet se ata ishin të armatosur rëndë e bënë situatën edhe më të rrezikshme, ndaj forcat speciale shmangën çdo ndërhyrje direkte deri në sigurimin e kushteve për një zgjidhje pa pasoja, edhe pse të dy ishin të vendosur të mos i përgjigjeshin thirrjeve për dorëzim të policisë. Në vijim të negociatave, policia solli në vendngjarje vëllain e Julian Cumrakut dhe familjarë të tjerë, të cilët luajtën rol vendimtar në bindjen e tyre për t’u dorëzuar. Ndërkohë, 34-vjeçari ishte paralajmëruar edhe më herët nga i ati që të linte banesën në të cilën kishte hyrë pa dijeninë e familjarëve. Pas orësh të gjata tensioni, ata dolën nga banesa dhe iu nënshtruan efektivëve të policisë, teksa Hamza Uka ishte i plagosur në këmbë, në rrethana ende të paqarta, pasi policia nuk ka përdorur armë gjatë operacionit.
Burime nga zona bëjnë të ditur se Julian Cumraku, babai i një vajze, kishte qenë emigrant në Francë, me precedentë të mëparshëm penal dhe i konsideruar si person i rrezikshëm për shkak të dinakërisë që e karakterizonte. Madje, në kontaktet e rralla me banorët e fshatit, ai u thoshte se i njihte, duke iu cituar edhe emrat, me qëllim t’i vinte nën presion që të mos flisnin.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related