Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u ka bërë thirrje qytetarëve shqiptarë që të marrin pjesë masivisht në protestën e sotme, duke e cilësuar atë si një moment vendimtar për të ardhmen e vendit.
Në një deklaratë për mediat, Berisha u shpreh se protesta është reagim kundër një qeverie që, sipas tij, ka vendosur ligjin e mafias, ka grabitur pasuritë publike dhe po shkatërron perspektivën europiane të Shqipërisë.
“Sot më shumë se kurrë duhet të jemi në rrugë, në sheshe dhe në bulevarde për të përcjellë mesazhin tonë se nuk pajtohemi kurrë me një organizatë hajdutësh që u ka vjedhur shqiptarëve pasurinë dhe të ardhmen”, deklaroi Berisha.
Ai theksoi se vetëm pak orë i ndajnë qytetarët nga ajo që e quajti “uragani i madh i shpresës dhe fitores”, duke kërkuar bashkim qytetar pa dallime politike apo sociale.
Berisha nënvizoi se prania masive në shesh do të jetë një mesazh i qartë për qeverinë dhe për ndërkombëtarët se shqiptarët nuk pranojnë më korrupsionin, pandëshkueshmërinë dhe kapjen e shtetit.
“Sot është dita për t’u përballur me të keqen, për të mbrojtur lirinë, demokracinë dhe të ardhmen e Shqipërisë”, përfundoi kreu i PD-së.
