Ish-ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati, ka kritikuar kryeministrin Edi Rama për qasjen e tij në raport me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vučić, duke thënë se kjo marrëdhënie ka ndikuar në rikthimin e narrativave që, sipas tij, destabilizojnë rajonin e Ballkanit.
Në një reagim të publikuar në rrjetet sociale, Bushati iu referua deklaratave të fundit të Vuçiçit për një kërcënim të mundshëm ndaj Serbisë nga një bashkëpunim ushtarak mes Shqipërisë, Kosovës dhe Kroacisë.
Sipas ish-kreut të diplomacisë shqiptare, vetëm pak ditë pasi Rama dhe Vuçiç publikuan një artikull të përbashkët në gazetën gjermane Frankfurter Allgemeine Zeitung lidhur me mundësinë e një forme anëtarësimi “të nivelit të dytë” në Bashkimin Evropian, presidenti serb është rikthyer te retorika për kërcënime lufte.
Bushati e cilësoi këtë si një “politikë me dy partitura”, ku një qasje përdoret për partnerët europianë dhe një tjetër për konsum të brendshëm politik në Serbi.
Ai theksoi se Ballkani Perëndimor ka nevojë për sundim të ligjit, zhvillim ekonomik dhe bashkëpunim rajonal, ndërsa retorika e bazuar në frikë, sipas tij, nuk i shërben stabilitetit të rajonit.
Në reagimin e tij, Bushati komentoi edhe debatin politik në Shqipëri, duke kritikuar fokusin e politikës te iniciativa si rezolutat për shpalljen e Iranit si shtet që nxit terrorizmin, ndërsa sipas tij vendi tashmë ka një kuadër ligjor që parashikon instrumentet për të vepruar në raste të tilla.
Deklaratat e Bushatit vijnë në një moment tensioni të rritur në rajon, pas akuzave të presidentit serb se Serbia po përgatitet për një sulm të mundshëm nga Shqipëria, Kosova dhe Kroacia, pretendime që janë kundërshtuar nga zyrtarë të vendeve të përmendura.
