Një kthesë e fortë e motit pritet gjatë ditës së nesërme, me reshje shiu pothuajse në të gjithë territorin e vendit dhe rënie të ndjeshme të temperaturave.
Sipas parashikimit, reshjet e shiut do të nisin që në orët e para të mëngjesit me intensitet të ulët, ndërsa në zonat veriperëndimore priten shtrëngata të herëpashershme. Nga mesdita dhe sidomos në orët e mbrëmjes, përgjatë Ultësirës Perëndimore dhe në jug të vendit, reshjet do të jenë më intensive dhe në formë shtrëngatash afatshkurtra. Pjesa tjetër e territorit do të vijojë me reshje të dobëta shiu.
Në Alpe dhe në zonat e larta malore të verilindjes dhe juglindjes parashikohen reshje dëbore me intensitet të ulët, duke sjellë kushte dimërore në këto zona.
Era do të fryjë kryesisht nga juglindja dhe jugperëndimi, me shpejtësi mesatare rreth 7 m/s, por përgjatë vijës bregdetare dhe zonave luginore herë pas here mund të arrijë deri në 17 m/s. Në det, valëzimi në Adriatik dhe Jon do të jetë 3 deri në 4 ballë.
Qytetarët këshillohen të tregojnë kujdes, veçanërisht gjatë lëvizjeve në zona malore dhe pranë bregdetit, për shkak të kushteve të paqëndrueshme të motit.
