Organizata të Shoqërisë Civile i janë drejtuar zyrtarisht Kuvendit të Shqipërisë dhe Këshillit të Mandateve, duke kërkuar shqyrtimin dhe zbatimin pa vonesa të kërkesës së SPAK për heqjen e imunitetit parlamentar të deputetes Belinda Balluku.
Në deklaratën e tyre, organizatat shprehin shqetësim të fortë se procedurat kushtetuese po rrezikojnë të zvarriten ose të instrumentalizohen politikisht, duke cenuar parimin e barazisë para ligjit. Sipas tyre, roli i Kuvendit në këto raste është thjesht procedural dhe i kufizuar nga afate, jo hapësirë për debate politike mbi çështje penale.
Shoqëria Civile thekson se imuniteti parlamentar nuk është mburojë personale për t’i shpëtuar drejtësisë, por një garanci funksionale për ushtrimin e mandatit. Çdo përdorim i tij për të penguar apo vonuar veprimtarinë e organeve të drejtësisë përbën shkelje të parimeve kushtetuese dhe dëmton besimin e qytetarëve tek institucionet.
Në reagim vihet në dukje gjithashtu se çdo devijim nga procedurat e përcaktuara në Kushtetutë dhe Rregulloren e Kuvendit rrezikon të cenojë shtetin e së drejtës dhe të përkeqësojë perceptimin ndërkombëtar për funksionimin e drejtësisë në Shqipëri. Organizatat rikujtojnë se Bashkimi Evropian ka kërkuar vazhdimisht trajtim transparent dhe pa politizim të kërkesave të organeve të drejtësisë, në përputhje me kapitujt 23 dhe 24 të negociatave të anëtarësimit.
Në përfundim, Shoqëria Civile i bën thirrje Kuvendit:
- të thërrasë menjëherë Këshillin e Mandateve,
- të shqyrtojë kërkesën e SPAK brenda afateve ligjore,
- dhe të garantojë se askush nuk është mbi ligjin.
Sipas tyre, respektimi i procedurave kushtetuese nuk është zgjedhje politike, por detyrim institucional dhe themel i besimit publik në demokraci.
