Policia e Tiranës ka njoftuar masat e qarkullimit për protestën e paralajmëruar nga Partia Demokratike, e cila do të zhvillohet sot në orën 17:00 përpara Kryeministrisë.
Sipas policisë, nga ora 15:00 deri në përfundim të tubimit do të bllokohet qarkullimi i automjeteve në disa akse kryesore të kryeqytetit. Konkretisht, do të ndalohet lëvizja në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga kryqëzimi pranë Ministrisë së Brendshme deri te sheshi “Nënë Tereza”, si dhe në rrugët “Ukraina e Lirë”, “Papa Gjon Pali II” dhe “Ismail Qemali”.
Autoritetet bëjnë me dije se, në varësi të ecurisë së protestës, kufizime të përkohshme të qarkullimit mund të aplikohen edhe në rrugë të tjera përreth zonës.
Për të shmangur trafikun dhe vështirësitë në lëvizje, Policia e Tiranës u bën thirrje qytetarëve të shmangin përdorimin e automjeteve në këto akse dhe të përdorin rrugë alternative.
Gjithashtu, policia apelon që qytetarët të distancohen nga çdo veprim i kundërligjshëm që mund të cenojë rendin dhe sigurinë publike.
