Mbi 75 mijë euro janë mbledhur brenda dy ditësh për familjen shqiptare Kola, e cila u shua tragjikisht pak ditë më parë në Porcari, në provincën e Luccas në Itali, si pasojë e helmimit nga monoksidi i karbonit.
Fushata e solidaritetit është iniciuar nga Durim Kola, vëllai i 48-vjeçarit Arti Kola, një nga viktimat e tragjedisë. Fondet e mbledhura do të përdoren për mbulimin e shpenzimeve të funeralit dhe për transportimin e katër trupave drejt Shqipërisë, ku do të zhvillohen ceremonitë mortore. Shuma e mbetur do t’u shërbejë familjarëve të viktimave për përballimin e pasojave të rënda financiare.
Ngjarja e rëndë i mori jetën Arti Kolës, bashkëshortes së tij Jonida, 43 vjeçe, si dhe dy fëmijëve të tyre, Hadjarit 22 vjeç dhe Xhesikës 15 vjeçe. Të katërt humbën jetën nga monoksidi i karbonit i çliruar nga një kaldajë gazi, e cila ishte instaluar së fundmi në banesën ku jetonin.
Dhjetëra qytetarë kanë kontribuar në fushatën e solidaritetit me shuma që variojnë nga 50 deri në 500 euro, duke treguar një reagim të gjerë human dhe mbështetje për familjarët e viktimave.
Hetimet
Prokuroria e Luccas ka nisur hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes dhe për të përcaktuar përgjegjësitë e mundshme. Sipas të dhënave paraprake, kaldaja dyshohet se është instaluar nga vetë pronari i banesës.
Priten rezultatet e analizave toksikologjike për katër viktimat, të cilat do të jenë vendimtare për vijimin e hetimeve. Pas përfundimit të procedurave ligjore, trupat do të kthehen në Shqipëri për t’u përcjellë në banesën e fundit, duke mbyllur në mënyrën më tragjike historinë e një familjeje që kishte ndërtuar jetën e saj në Itali me punë dhe sakrifica.
