Andoni: Vendimi i Kushtetueses la drejtësinë në mjegull dhe qytetarët në paqartësi

Data

Vendimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese ka krijuar një situatë të pazakontë paqartësie juridike, duke mos dhënë një përgjigje të prerë për një çështje me interes të lartë publik dhe duke nxitur debat mbi kufijtë e kompetencave mes pushteteve.

Analisti Ben Andoni, në një lidhje televizive, u shpreh se ajo që shqetëson më shumë është mungesa e qartësisë nga vetë sistemi i drejtësisë.

Sipas tij, Gjykata Kushtetuese duhet të jetë jashtëzakonisht e kujdesshme dhe profesionale, në mënyrë që të mos lërë hapësira për interpretime të dyfishta. Ai theksoi se fakti që gjykata funksionon aktualisht me tetë anëtarë dhe jo me nëntë, e bën edhe më problematike marrjen e vendimeve të qarta dhe të qëndrueshme.

Andoni vuri në dukje se ndarja e votave dhe argumenteve brenda gjykatës nuk krijon një vijë logjike të përbashkët, mbi të cilën mund të mbështeten vendimet e mëpasshme juridike. Sipas tij, gjykata nuk iu përgjigj drejtpërdrejt pyetjes thelbësore: nëse GJKKO ka apo jo kompetencën për të marrë masa ndaj një ministri.

Ai shtoi se debati u zhvendos te çështja e imunitetit të ministrit si deputet, duke lënë në hije thelbin e kërkesës së ekzekutivit. Për këtë arsye, sipas Andonit, situata e krijuar e lë jo vetëm publikun, por edhe vetë njerëzit e drejtësisë në paqartësi.

“Njerëzit më të paqartë në këtë moment janë vetë njerëzit e drejtësisë. Dhe kur ata janë të paqartë, si mund të jemi ne qytetarët e zakonshëm?”, u shpreh analisti, duke shtuar se vendimi i Kushtetueses e ka mjegulluar më tej debatin publik dhe institucional.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related