Kuvendi Kombëtar i Partia Demokratike e Shqipërisë ka marrë një tjetër mesazh mbështetës nga partnerët europianë, këtë herë nga Greqia. Deputeti i Parlamentit grek Vassilios Giogiakas përcolli përshëndetjet e kryeministrit grek Kyriakos Mitsotakis dhe të partisë New Democracy për demokratët shqiptarë.
Në fjalën e tij, Giogiakas e cilësoi Kuvendin si një moment të rëndësishëm për modernizimin dhe riorganizimin e Partisë Demokratike, duke vlerësuar përpjekjet për forcimin e pjesëmarrjes politike, përfshirjen e brezit të ri dhe konsolidimin e strukturave të partisë.
Deputeti grek theksoi se integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian duhet të mbetet objektivi kryesor i forcave politike, ndërsa nënvizoi se rruga drejt BE-së kalon përmes forcimit të institucioneve, pavarësisë së gjyqësorit, transparencës dhe luftës kundër korrupsionit.
Sipas tij, demokracia funksionale kërkon institucione të forta, zgjedhje të lira dhe të ndershme, si dhe respektimin e standardeve europiane në çdo nivel të qeverisjes.
Giogiakas ritheksoi gjithashtu mbështetjen e Greqisë për perspektivën europiane të Shqipërisë, duke deklaruar se Athina ka mbështetur vazhdimisht procesin e integrimit dhe avancimin e negociatave me Bashkimin Europian.
Në fund të mesazhit të tij, ai uroi sukses për Kuvendin Kombëtar të PD-së dhe shprehu gatishmërinë për forcimin e bashkëpunimit mes forcave politike të qendrës së djathtë në Shqipëri dhe Greqi, në funksion të vlerave demokratike dhe integrimit europian.
