Një 24-vjeçar është arrestuar nga policia në Shkoder pas një serie vjedhjesh dhe tentativash me dhunë. Shtetasi Mikel Mhilli dyshohet se ka tentuar të grabisë një filial të Postës Shqiptare në rrugën “Vasil Shanto”, ku ka kërcënuar punonjësit me thikë dhe ka thyer xhamin e sportelit, për t’u larguar më pas me një biçikletë të vjedhur.
Pas pak minutash, ai ka tentuar një tjetër vjedhje në një market në lagjen “Fahri Ramadani”, ndërsa në lagjen “Skënderbeg” ka vjedhur edhe një biçikletë tjetër.
Gjatë ndjekjes nga policia, 24-vjeçari është fshehur në tavanin e një banese, në përpjekje për t’iu shmangur arrestimit, por është lokalizuar dhe neutralizuar.
Policia ka sekuestruar veshjet e përdorura gjatë vjedhjeve dhe dy biçikleta, ndërsa materialet procedurale i janë referuar prokurorisë për veprime të mëtejshme.
