Presidenti amerikan Donald Trump ka realizuar kërcënimin e paralajmëruar, duke firmosur një urdhër ekzekutiv që hap rrugën për vendosjen e tarifave doganore shtesë ndaj vendeve që vazhdojnë marrëdhëniet tregtare me Iran.
Urdhri parashikon masa ndëshkuese për çdo shtet që blen, importon apo merr mallra dhe shërbime nga Irani, drejtpërdrejt ose tërthorazi. Edhe pse nuk përcaktohet një normë fikse, dokumenti përmend si shembull një tarifë prej 25% për importet në Shtetet e Bashkuara.
Vendimi vjen në një moment delikat, ndërsa po zhvillohen bisedime indirekte mes zyrtarëve amerikanë dhe iranianë në Oman. Trump ka deklaruar se Irani nuk do të lejohet të pajiset me armë bërthamore dhe ka paralajmëruar pasoja të rënda nëse nuk arrihet një marrëveshje.
Sipas Shtëpisë së Bardhë, urdhri ripohon gjendjen e emergjencës kombëtare lidhur me Iranin dhe synon ta mbajë Teheranin përgjegjës për programin bërthamor, mbështetjen e terrorizmit dhe destabilizimin rajonal. Presidenti ka lënë të hapur mundësinë që masat të rishikohen, nëse ndryshojnë rrethanat diplomatike.
