Uji “pushton” Gjirokastrën/ Bizneset nën ujë në lagjen “18 Shtatori” pas reshjeve të dendura

Data

Reshjet e dendura të shiut gjatë natës së kaluar kanë sjellë një situatë kritike në qytetin e Gjirokastrës, duke paralizuar jetën në zonat e ulëta. Si pasojë e daljes nga shtrati të përroit të Ficos, lagjja “18 Shtatori” u përfshi nga përmbytjet, ndërsa uji vërshoi brenda dhjetëra bizneseve, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale.

Tregtarët u përballën me një situatë të papritur, teksa uji dhe inertet mbuluan ambientet e dyqaneve, duke dëmtuar mallra, pajisje dhe inventar. Në disa pika niveli i ujit arriti disa centimetra, duke e bërë të pamundur çdo aktivitet.

Ujërat u tërhoqën gradualisht gjatë mesnatës, ndërsa strukturat vendore ndërhynë me mjete të rënda për pastrimin e inerteve dhe normalizimin e situatës. Bashkia vijon punën për pastrimin e zonës dhe vlerësimin e dëmeve të shkaktuara nga përmbytja.

Banorët dhe bizneset e prekura kërkojnë ndërhyrje afatgjata për sistemimin e përroit dhe kanalizimeve, pasi situata të ngjashme përsëriten sa herë që reshjet janë intensive.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related