Çështja Balluku ngrin rrugën drejt BE-së, Brukseli i kthen shpinën Ramës për imunitetin e zv/kryeministres

Data

Një krizë e thellë politike dhe institucionale po vë seriozisht në rrezik procesin e integrimit europian të Shqipërisë, me emrin e zëvendëskryeministres Belinda Balluku në qendër të përplasjes mes Tiranës dhe Brukselit. Vendosmëria e kryeministrit Edi Rama për të mos hapur rrugën e heqjes së imunitetit të saj dhe për të frenuar veprimet e SPAK-ut, ka ngritur alarmin në kancelaritë europiane, duke sjellë një ftohje të dukshme të marrëdhënieve me Bashkimin Evropian.

Burime të nivelit të lartë në Bruksel bëjnë me dije se procesi i integrimit është realisht i bllokuar, për shkak të shqetësimeve serioze mbi ndërhyrjet politike në drejtësi dhe mbrojtjen e figurave të larta qeveritare nga hetimet penale. Sipas këtyre burimeve, Grupi i Punës për Evropën (COELA) ka mbajtur një qëndrim të ashpër ndaj Shqipërisë, duke e konsideruar situatën një devijim të rrezikshëm nga standardet demokratike.

Gjermania thuhet se ka qenë shtytësi kryesor i kësaj linje të fortë, e mbështetur nga Austria, Belgjika dhe Holanda, të cilat shohin me shqetësim atë që cilësohet si shkatërrim i ekuilibrave institucionalë për të mbrojtur Ballukun nga drejtësia. Edhe pse disa shtete të tjera kanë mbajtur një qëndrim më të kujdesshëm, mjafton kundërshtimi i një vendi anëtar për të ngrirë procesin e zgjerimit.

Si pasojë, negociatat për hapjen e grupkapitujve të rinj, të planifikuara për muajin mars, janë shtyrë pa afat. Në Bruksel po forcohet bindja se sundimi i ligjit në Shqipëri po sakrifikohet për interesa politike dhe personale, ndërsa Tirana zyrtare vijon të heshtë përballë këtij presioni.

Në këtë klimë tensioni, kryeministri Rama pritet të udhëtojë në Bruksel për një takim urgjent me presidentin e Këshillit të Europës, Antonio Costa. Burime diplomatike konfirmojnë se një nga temat kryesore të diskutimit do të jetë pikërisht çështja e imunitetit të Belinda Ballukut dhe përplasja e qeverisë shqiptare me SPAK-un, e konsideruar në BE si një “vijë e kuqe”.

Mesazhi nga Brukseli është i drejtpërdrejtë: ose Shqipëria demonstron realisht respekt për pavarësinë e drejtësisë, ose rruga drejt Bashkimit Europian do të mbetet e bllokuar. Për herë të parë pas vitesh, kryeministri shqiptar përballet me dyer të mbyllura dhe një izolim të heshtur në tryezat europiane, ndërsa e ardhmja europiane e vendit duket më e pasigurt se kurrë.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related