Nafta arrin 202 lekë/litër, Partia Demokratike e Shqipërisë propozon uljen e taksës së qarkullimit dhe modelin e akcizës së ndryshueshme

Data

Rritja e çmimit të karburanteve në vend ka rikthyer debatin politik mbi barrën fiskale, teksa Partia Demokratike e Shqipërisë ka propozuar një paketë ligjore për uljen e çmimit të naftës.

Sipas deklaratës nga selia blu, aktualisht çmimi i naftës në Shqipëri ka arritur deri në 202 lekë për litër, ndërsa rreth 60–65% e këtij çmimi përbëhet nga taksat. Opozita e cilëson këtë nivel si ndër më të lartët në Europë, sidomos në raport me fuqinë blerëse të qytetarëve.

Në këtë kuadër, deputeti Enno Bozdo bëri të ditur se janë depozituar dy projektligje në Kuvend, të cilat synojnë uljen e menjëhershme të çmimit të karburantit dhe mbështetjen e ekonomisë familjare dhe asaj prodhuese.

Propozimi përfshin dy masa kryesore: uljen e taksës së qarkullimit në nivelin e vitit 2013 dhe aplikimin e modelit të “akcizës së ndryshueshme”, i cili përdoret në vende të Bashkimit Europian si Italia. Ky mekanizëm parashikon që rritja e të ardhurave nga TVSH të përdoret për të ulur akcizën, duke stabilizuar çmimet për konsumatorët.

Sipas PD, zbatimi i këtyre masave mund të ulë çmimin e naftës nga rreth 220 lekë/litër në të paktën 175 lekë/litër, duke sjellë një lehtësim të ndjeshëm për qytetarët.

Në deklaratë theksohet gjithashtu se Shqipëria ka mangësi në rezervat strategjike të naftës, të cilat mbulojnë vetëm 30 ditë, ndërkohë që standardet e Bashkimit Europian kërkojnë rezerva për 90 ditë. Sipas opozitës, kjo situatë përbën rrezik për sigurinë energjetike të vendit dhe tregon dështim në menaxhimin e krizave.

Partia Demokratike i ka bërë thirrje maxhorancës të miratojë paketën, duke e cilësuar atë si një masë të domosdoshme dhe të aplikueshme, ndërsa ka ftuar qytetarët të reagojnë ndaj rritjes së çmimeve në vend.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related