Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar kërkesën e kryeministrit Edi Rama për shfuqizimin e masës së pezullimit ndaj Belinda Ballukut si zëvendëskryeministre dhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, duke lënë në fuqi vendimin e GJKKO-së. Vendimmarrja u mbyll me një ndarje votash 4 me 4, çka sipas Kushtetutës do të thotë se kërkesa e Kryeministrit nuk merr shumicën e nevojshme dhe automatikisht rrëzohet.
Meqenëse Gjykata Kushtetuese aktualisht funksionon me 8 anëtarë, për çdo vendim kërkohen minimalisht 5 vota. Ndarja e barabartë e votave bëri që masa e pezullimit e vendosur nga GJKKO të rikthehet në fuqi, duke e nxjerrë Ballukun jashtë funksioneve qeveritare. Vendimi është përfundimtar dhe hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.
Prapaskenat e mbledhjes
Mbledhja e djeshme e Gjykatës Kushtetuese u zhvillua pa njoftim paraprak publik, duke shkaktuar reagime dhe spekulime mbi mënyrën e zhvillimit të saj. Sipas informacioneve të qarkulluara në media, fillimisht balanca e votimit ishte 5 me 3 në favor të Ballukut, çka do të sillte shfuqizimin e pezullimit.
Gjatë orëve të pasdites u përhapën sinjale kontradiktore mbi arsyen e mbledhjes, duke u pretenduar fillimisht se diskutimet kishin të bënin me çështjen e pagave të gjyqtarëve. Vetëm më vonë u konfirmua se objekti real ishte dosja “Balluku”.
Sipas burimeve mediatike, pas ndërhyrjeve dhe presionit të fortë ndërkombëtar, si dhe rolit aktiv të SPAK, balanca u përmbys. Gjyqtari Sandër Beci dyshohet se ka devijuar nga linja pro-qeveritare, duke çuar rezultatin përfundimtar në 4 me 4. Ky ndryshim la në fuqi vendimin e GJKKO-së dhe “shampanjën në dorë” për Ballukun dhe mazhorancën.
Kush votuan kundër kërkesës së Ramës
Katër gjyqtarët që votuan kundër kërkesës së Kryeministrit janë:
- Marsida Xhaferllari
- Ilir Toska
- Sandër Beci
- Asim Vokshi
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk mund të ankimohet në asnjë instancë tjetër dhe konsiderohet një zhvillim kyç në raportin mes pushtetit ekzekutiv dhe drejtësisë, duke forcuar precedentët e pavarësisë gjyqësore në çështje me peshë të lartë politike.
