“Krimi po romantizohet me bekimin e pushtetit”/ Klevis Balliu sulmon Ramën: Të rinjtë po shtyhen drejt modelit të trafikantit

Data

Deputeti i Partia Demokratike, Klevis Balliu, ka akuzuar qeverinë e Edi Rama se ka krijuar një klimë ku krimi dhe trafiku i drogës po paraqiten si modele suksesi për të rinjtë shqiptarë.

I ftuar në një intervistë televizive, Balliu deklaroi se shoqëria shqiptare po përballet me një deformim të rëndë të vlerave, ndërsa profesionet e ndershme po zhvlerësohen dhe figurat kriminale po romantizohen.

“Në rastin konkret vërtetohet që ajo shprehja e vjetër që ‘nëse nuk merresh ti në politikë, merret politika me ty’. Fakti që sot politika e Edi Ramës ka mbyllur sytë përballë krimeve të organizatave dhe karteleve të drogës, ka sjellë një deformim në shoqërinë tonë”, u shpreh Klevis Balliu.

Sipas deputetit demokrat, goditja ndaj arsimit, kulturës dhe sistemit shëndetësor ka bërë që të rinjtë të mos shohin më të ardhme tek profesionet akademike apo shërbimet publike.

Ai kujtoi debatet e viteve 2015-2016 për korrupsionin në universitete dhe spitale, duke pretenduar se ndërkohë qeveria mbyllte sytë përballë kultivimit të kanabisit në vend.

“Politika e Edi Ramës e ktheu trafikun e drogës jo thjesht në një normalitet, por në një alternativë për t’u përmbushur si njeri në Shqipëri”, deklaroi Balliu.

Deputeti i Partia Demokratike shtoi se figura të lidhura me trafikun e drogës po paraqiten publikisht si biznesmenë apo investitorë të suksesshëm, ndërsa sipas tij kjo ka ndikuar drejtpërdrejt tek perceptimi i brezit të ri.

“Nuk quhesh më trafikant droge, por ‘djalë i shkathët’. Dhe kur bëhesh shumë i suksesshëm madje mund të të quajnë edhe biznesmen”, tha ai.

Balliu deklaroi se kjo kulturë është përhapur në shkolla dhe në shoqëri, duke krijuar një model të gabuar për të rinjtë.

Ai përmendi edhe rastet e atentateve kriminale të viteve të fundit, duke theksuar se mosha mesatare e viktimave dhe autorëve është rreth 30 vjeç, çka sipas tij tregon ndikimin që ka pasur kjo klimë tek brezi i ri.

Në fund të deklaratës së tij, Klevis Balliu u bëri thirrje prindërve që të reagojnë për të mbrojtur fëmijët nga ndikimi i krimit dhe kulturës së drogës.

“Kjo është një çështje jetike. Hajde të mbrojmë fëmijët nga Edi Rama. Ky pushtet po na i çon fëmijët drejt drogës dhe mentalitetit që trafikanti është njeri i suksesshëm”, përfundoi ai.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related