Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka lëshuar akuza shumë të rënda ndaj kryeministrit Edi Rama dhe zëvendëskryeministres Belinda Balluku, duke deklaruar se ata po ushtrojnë presion dhe intimidim të drejtpërdrejtë ndaj gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese për vendimin që pritet të merret sot.
Duke folur para demokratëve në Tiranë, Berisha tha se Rama është mbyllur gjatë gjithë ditës në zyrë, duke dërguar mesazhe dhe duke ushtruar ndikim mbi gjyqtarët, pasi e di shumë mirë se nëse Balluku shkon në bankën e akuzës, ai do të përfshihet i pari.
“Ajo ia ka bërë benë. Sot ka ndenjur gjithë ditën në zyrë duke u marrë me gjyqtarët, duke çuar mesazhe, që të marrin vendimin që morën,” u shpreh Berisha.
Sipas tij, Rama ndodhet në një situatë pa rrugëdalje, edhe pse – siç tha – ka marrë një ultimatum serioz nga Bashkimi Europian, ku është paralajmëruar se BE është e gatshme të ndërmarrë hapa ekstremë, deri në zhbërjen e procesit të integrimit, nëse drejtësia vazhdon të përdoret për mbrojtjen e pushtetit.
“Edhe pse ka marrë ultimatum, ai sot gjithë ditën ka punuar vetëm për një gjë: vendimin që do të dalë sonte,” deklaroi kreu i PD.
Berisha e cilësoi situatën aktuale si momentin më kritik për vendin në dekada, duke akuzuar qeverinë se është e gatshme të flijojë fatin e një populli të tërë për të mbrojtur interesat personale dhe pushtetin e saj.
“Nuk ka moment më kritik. Nuk ka interes që këta antishqiptarë të mos jenë të gatshëm ta shkelmojnë për pasurimin e vet dhe për lëkurën e tyre,” tha ai.
Në një krahasim historik, Berisha paralajmëroi se Rama po e çon Shqipërinë drejt izolimit, ashtu siç ndodhi në vitet ’60, kur vendi u shkëput nga bota për shkak të karriges së një njeriu të vetëm.
“Ashtu si Enver Hoxha atëherë, sot Edi Rama është gati ta shkëpusë Shqipërinë nga ëndrra europiane, jo për ideologji, por për karrigen e tij,” u shpreh Berisha.
Ai theksoi se shpresa e vetme për vendin janë qytetarët dhe opozita, duke bërë thirrje për reagim dhe qëndresë, pasi sipas tij drejtësia është kapur dhe përdoret si mburojë për krimin dhe korrupsionin në nivelet më të larta të qeverisjes.
