BIRN: Pse kazinoja e Pëllumb Gjokës mbeti jashtë sekuestros?

Data

Ndërsa tre parcela toke në Pulaj të Velipojës u sekuestruan me urdhër të Gjykatës së Posaçme në tetor 2023, një nga asetet më të mëdha të biznesmenit Pëllumb Gjoka – kazinoja në qendër të Tiranës dhe kompania e tij “Imperial Group” – nuk u prek nga masat e sekuestros.

Gjoka, i arrestuar në korrik 2023, po gjykohet për akuza të rënda, përfshirë vrasje dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal, pas zbërthimit të komunikimeve në aplikacionin Sky ECC. Megjithatë, hetimi pasuror ndaj tij nuk është zhvilluar në bazë të ligjit “Antimafia”, i cili lejon konfiskimin e aseteve të dyshuara me origjinë kriminale edhe pa një vendim penal të formës së prerë.

Sipas ekspertëve të së drejtës, zgjedhja për të mos përdorur këtë mekanizëm ka ndikim të drejtpërdrejtë në barrën e provës. Në procedimin pasuror sipas ligjit “Antimafia”, barra kalon te individi për të justifikuar burimin e ligjshëm të pasurisë, ndërsa në procesin penal kërkohet provë “tej çdo dyshimi të arsyeshëm”.

SPAK ka deklaruar se gjatë hetimeve nuk janë konstatuar elementë që të justifikonin sekuestrimin e shoqërisë “Imperial Group”, ku Gjoka zotëron shumicën e aksioneve. Kompania operon në fushën e lojërave të fatit dhe në vitin 2021 u shpall investitor strategjik për projektin turistik “Silver Sand Resort” në bregdet.

Ndërkohë, përveç tre parcelave në Velipojë, asetet kryesore të biznesit të Gjokës mbeten të paprekura nga masat preventive, duke ngritur pikëpyetje mbi shtrirjen dhe qasjen e hetimit pasuror në këtë çështje.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related