Mos i hiqni çadrat, mot i paqëndrueshëm me shi dhe borë në gjithë vendin

Data

Moti i paqëndrueshëm do të vijojë të dominojë territorin e vendit edhe në ditët në vijim, duke sjellë reshje shiu, erë të fortë dhe dëborë në zonat malore. Qytetarëve u rekomandohet të mbajnë çadrat me vete, pasi reshjet do të jenë të pranishme në mënyrë të herëpashershme gjatë gjithë javës.

Sipas sinoptikanes Anira Gjoni, reshjet e shiut do të vijojnë edhe gjatë ditës së shtunë, ndërsa të dielën dhe paraditen e së hënës pritet një përmirësim i përkohshëm i kushteve atmosferike. Megjithatë, shiu do të rikthehet sërish mbrëmjen e së hënës.

Reshjet nuk pritet të jenë të forta, përjashtuar ditën e sotme ku lokalisht mund të shfaqen shtrëngata. Nuk parashikohen problematika sa i përket përmbytjeve.

Era do të jetë mesatare deri e fortë, veçanërisht gjatë ditës së sotme, duke krijuar vështirësi në zonat bregdetare dhe në portet e Durrësit dhe Vlorës.

Sa i përket temperaturave, mëngjesi i së shtunës do të sjellë një rritje prej rreth 2 gradë Celsius. Në bregdet temperaturat do të luhaten nga 11 deri në 16 gradë, në zonat e ulëta nga 9 deri në 15 gradë, ndërsa në zonat malore nga 4 deri në 12 gradë Celsius.

Në zonat veriore dhe lindore të vendit, mbi 1000 metra mbi nivelin e detit, reshjet do të jenë në formën e dëborës, kryesisht gjatë ditës së sotme dhe të nesërme.

Në perspektivë afatmesme, muaji shkurt pritet të jetë më i thatë krahasuar me janarin, por reshjet do të vijojnë të jenë prezente, ndërsa temperaturat do të mbeten mbi mesataret shumëvjeçare.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related