Prokuroria e Tiranës ka përfunduar hetimet për vdekjen e 3-vjeçarit B.S., i cili humbi jetën pas një ndërhyrjeje dentare në një klinikë private në kryeqytet, dhe ka dërguar në gjyq shtatë persona, tre prej të cilëve për veprën penale të “vrasjes nga pakujdesia”.
Sipas organit të akuzës, procedimi penal nr. 6477 i vitit 2023 ka çuar në gjykim:
- R.Xh. dhe M.G. për “Vrasje nga pakujdesia” dhe “Mashtrim” në bashkëpunim
- I.Xh. për “Vrasje nga pakujdesia”, “Mashtrim” dhe “Ushtrim të aktivitetit të paligjshëm”
- E.S. dhe E.A. për “Shpërdorim detyre”
- D.A. dhe V.H. për “Neglizhencë në trajtimin mjekësor”
Ngjarja ndodhi më 28 shtator 2023, kur i mituri iu nënshtrua një ndërhyrjeje dentare në 14 dhëmbë në klinikën “Splendent”. Pas ndërhyrjes, fëmija u dërgua në shtëpi, por brenda pak orësh gjendja e tij shëndetësore u përkeqësua rëndë. Ai u shtrua në gjendje kome dhe me insuficiencë respiratore akute në Spitalin e Pediatrisë në QSUT, ku ndërroi jetë më 1 tetor 2023.
Sipas aktit të riekspertimit mjekoligjor të kryer nga një grup ekspertësh italianë, shkaku i vdekjes ishte shoku septik i rëndë, që çoi në insuficiencë progresive shumëorganore. Ekspertët konstatuan shkelje të rënda të protokolleve mjekësore ndërkombëtare gjatë ndërhyrjes dentare dhe procedurës së anestezisë, të cilat kishin lidhje të drejtpërdrejtë shkakësore me vdekjen e fëmijës.
Shkeljet përfshinin mungesë kontrollesh paraprake, diagnozë të pasaktë, mungesë trajtimi profilaktik, kryerjen e një ndërhyrjeje tepër të gjerë për një fëmijë 3-vjeçar dhe mbajtjen e tij nën anestezi të përgjithshme për rreth 5 orë. Gjithashtu, u cilësua si e papërshtatshme nxjerrja e fëmijës nga klinika pa monitorim adekuat pas ndërhyrjes.
Hetimet zbuluan gjithashtu se dy stomatologë kishin mashtruar prindërit, duke marrë pagesë për mbushjen e 14 dhëmbëve, ndërkohë që nga autopsia rezultoi se vetëm 8 ishin trajtuar realisht. Për këtë arsye ndaj tyre u ngrit edhe akuza për mashtrim.
Prokuroria konstatoi gjithashtu shkelje të rënda në kryerjen e autopsisë dhe ekspertizës mjekoligjore nga ekspertë të Institutit të Mjekësisë Ligjore, si dhe neglizhencë në trajtimin fillestar spitalor nga mjekët roje, megjithëse këto veprime nuk u konsideruan shkaku kryesor i vdekjes.
Çështja tashmë do të shqyrtohet nga gjykata, ndërsa ngjarja mbetet një nga rastet më të rënda të dyshuara të neglizhencës mjekësore ndaj një të mituri në Shqipëri.
