Gjykata Administrative ka vendosur rikthimin në detyrë të Sekretarit të Përgjithshëm të Bashkisë së Tiranës, Alban Dokushi, duke shpallur absolutisht të pavlefshëm urdhrat e lirimit nga detyra.
Sipas vendimit, shkarkimi i Dokushit është kryer në kundërshtim flagrant me ligjin, duke përbërë shkelje të rënda të standardeve ligjore dhe procedurale. Gjykata vlerëson se procedura e ndjekur nuk ka respektuar as kriteret formale dhe as garancitë ligjore të parashikuara për administratën publike.
Vendimi ka efekt të menjëhershëm dhe është i detyrueshëm për zbatim, çka do të thotë se Alban Dokushi duhet të rikthehet menjëherë në funksionin e tij.
Dokushi ishte shkarkuar nga detyra me urdhër të kryetares së komanduar të Bashkisë së Tiranës, Anuela Ristani, pas arrestimit të kryebashkiakut Erion Veliaj. Vendimi i sotëm i gjykatës e rrëzon këtë akt administrativ, duke e cilësuar të paligjshëm.
