“Na grabitën tokën”, banorët e Rrjollit protestojnë para SPAK kundër resortit të Bashkim Ulajt

Data

Banorët e fshatit Rrjoll në Velipojë kanë zhvendosur para godinës së SPAK protestën e tyre kundër ndërtimit të një resorti luksoz në zonë, duke kërkuar ndërhyrjen e Prokurorisë së Posaçme dhe ndalimin e menjëhershëm të punimeve.

Me thirrjet “Duam drejtësi”, banorët deklaruan se besimin e kanë vetëm te SPAK, pasi sipas tyre institucionet e tjera kanë dështuar të veprojnë. Ata akuzojnë se pronat e tyre janë grabitur përmes falsifikimit të dokumenteve dhe se toka u është shitur ndërtuesit Bashkim Ulaj për ndërtimin e një resorti me 5 yje.

Sipas protestuesve, për të njëjtën pronë ekzistojnë dy certifikata pronësie, njëra e trashëguar prej dekadash dhe tjetra e lëshuar brenda një kohe shumë të shkurtër për një person të tretë, i cili më pas ia ka shitur tokën kompanisë ndërtuese. Banorët pretendojnë se bëhet fjalë për rreth 1500 dynym tokë, ndërsa zona është shpallur e mbrojtur për qytetarët, por është përjashtuar nga mbrojtja vetëm për ndërtimin e resortit.

Ata shprehen se prej vitesh janë në procese gjyqësore për njohjen e pronësisë dhe se kallëzimet e mëparshme penale janë kaluar për moskompetencë, pa asnjë veprim konkret. Sipas tyre, punimet kanë nisur pa transparencë dhe pa u paraqitur dokumentacioni ligjor, ndërsa institucionet nuk kanë reaguar pavarësisht njoftimeve të përsëritura.

Banorët dhe përfaqësuesit e tyre ligjorë kërkojnë pezullimin e menjëhershëm të punimeve, ekspertim të dokumenteve të pronësisë dhe hetim të plotë të veprimeve të kryera në Kadastër. Ata deklarojnë se janë përpjekur të negociojnë, por pas premtimeve verbale, punimet kanë nisur në orët e natës, nën praninë e policisë.

Protestuesit paralajmëruan se do të vijojnë protestat dhe se nuk do të ndalen derisa çështja të merret nga SPAK dhe të jepet drejtësi. “O të bëhet drejtësi, o nuk largohemi”, deklaruan ata, duke e cilësuar rastin si grabitje pronash me bekimin e shtetit.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related