“30 breshëri kallash në mes të qytetit”, Lala zbardh detajet tronditëse të përplasjes Nikulaj–Ndoka në Lezhë

Data

Ngjarja e rëndë e ndodhur në Lezhë ka zbuluar një realitet alarmues për nivelin e dhunës dhe dështimin e shtetit për ta parandaluar atë. Gazetarja Klodiana Lala, e ftuar në një studio televizive, dha detaje tronditëse nga përplasja me armë mes familjes Ndoka dhe nipit të Ardjan Nikulajt, ku u përdorën armë automatike në mes të ditës, në një zonë të banuar.

Sipas Lalës, gjatë përplasjes janë qëlluar dhjetëra herë, mes tyre rreth 30 të shtëna me kallashnikov. Si pasojë e këtij shkëmbimi zjarri, mbeti i plagosur rëndë pronari i berberhanes, Sokol Daci, një person që nuk kishte asnjë lidhje me konfliktin dhe që ndodhet aktualisht në gjendje të rëndë shëndetësore në spital.

Gazetarja sqaroi se në momentin e ngjarjes, brenda berberhanes ndodheshin Merando Nikulaj, nipi i Ardjan Nikulajt, dhe një punonjës policie i armatosur. Pak minuta më vonë, në vendngjarje mbërritën dy automjete me disa persona të armatosur me kallashnikovë dhe shkopinj bejzbolli, të cilët hapën zjarr drejt ambientit.

Nga brenda, sipas Lalës, ka qëlluar edhe punonjësi i policisë, i cili tashmë është arrestuar. Përplasja ka qenë e dhunshme dhe e pakontrolluar, duke vënë në rrezik jetën e qytetarëve të pafajshëm.

Lala kritikoi ashpër reagimin fillestar të Policisë së Shtetit, e cila tentoi ta minimizonte ngjarjen duke e paraqitur si një incident të zakonshëm, ndërkohë që realiteti ishte një shkëmbim zjarri me armë automatike në mes të qytetit.

Sipas saj, konflikti mes Merando Nikulajt dhe pjesëtarëve të familjes Ndoka nuk është i ri. Ai daton që nga gushti i vitit të kaluar, kur Nikulaj kishte përplasur me automjet dy anëtarë të familjes Ndoka në një zonë që ata e konsiderojnë territor të tyre dhe ku nuk lejojnë persona të tjerë të afrohen.

Gazetarja theksoi se shteti ka dështuar ta parandalojë këtë përshkallëzim, pasi në vend që të ndërhynte për të shuar konfliktin, ka lejuar që të dyja palët të shoqërohen nga efektivë policie për mbrojtje personale.

“Në vend që shteti të vendosë rend, është ndarë në parcela: disa mbrojnë njërën palë dhe disa tjetrën”, u shpreh Lala.

Ajo e cilësoi situatën si jashtëzakonisht të rrezikshme, duke theksuar se përdorimi i kallashnikovit 30 herë në një zonë urbane është tregues i një kulture dhune që, sipas saj, “kur nis, nuk di ku ndalet”.

“Këtu themi shpesh ‘e ka fal plumbi’, sepse me atë numër të shtënash, vetëm fati ka shmangur një masakër më të madhe”, përfundoi gazetarja.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related