Deputeti dhe kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja, ka sqaruar publikisht çfarë është diskutuar në takimin e zhvilluar në Kryeministri me kryeministrin Edi Rama dhe zëvendëskryeministren Belinda Balluku, pas vendimit të GJKKO për pezullimin e saj nga detyra.
I ftuar në një studio televizive, Manja u shpreh se ndryshe nga interpretimet dhe zhurma mediatike, takimi ishte i planifikuar më herët dhe kishte karakter strikt pune. Sipas tij, diskutimet janë përqendruar në çështje që lidhen me funksionimin e mazhorancës në Kuvend dhe procesin e integrimit europian.
Ai theksoi se si kryetar i Komisionit për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike, takime të tilla janë të zakonshme dhe nuk lidhen me vendime apo strategji të jashtëzakonshme politike.
“Kanë qenë biseda normale pune, për çështje që shqetësojnë mazhorancën parlamentare dhe për integrimin. Asgjë më shumë. Takimi ishte lënë një ditë më parë dhe nuk kishte asnjë prapavijë tjetër,” u shpreh Manja.
Deputeti shtoi gjithashtu se nuk ishte në dijeni të pranisë së kamerave dhe se interpretimi publik i takimit e ka kthyer atë në një çështje artificialisht të ekzagjeruar.
Sipas tij, përpjekjet për ta lidhur këtë takim me vendimet e drejtësisë nuk qëndrojnë dhe nuk përputhen me realitetin e diskutimeve të zhvilluara në Kryeministri.
