Anulimi i papritur i udhëtimit të kryeministrit Edi Rama drejt Vlorës fundjavën e kaluar ka ngritur pikëpyetje në qarqet politike dhe diplomatike. Rama ishte paralajmëruar të merrte pjesë në një forum dialogu mbi integrimin europian, ku ishin të pranishëm përfaqësues të lartë të Bashkimit Europian dhe diplomacisë perëndimore, por mungesa e tij kaloi pa asnjë shpjegim zyrtar.
Sipas burimeve, arsyeja lidhet me zhvillime të ndjeshme në Bruksel, ku çështja e hetimeve të SPAK ndaj zëvendëskryeministres Belinda Balluku është diskutuar në forume të mbyllura të Bashkimit Europian. Konkretisht, tema është trajtuar në një mbledhje të Grupit të Punës për Zgjerimin dhe vendet kandidate, ku është shprehur shqetësim për ngërçin institucional të krijuar në Shqipëri pas refuzimit të mazhorancës për të autorizuar arrestimin e Ballukut.
Në këto diskutime, përfaqësues të disa vendeve anëtare kanë ngritur dyshime mbi qëndrimin e qeverisë shqiptare ndaj drejtësisë së re, duke e interpretuar bllokimin e procedurave parlamentare si një sinjal negativ për pavarësinë e SPAK dhe vijimësinë e reformës në drejtësi.
Burimet bëjnë me dije se komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos, ka informuar personalisht kryeministrin Rama për klimën e krijuar në Bruksel, duke i përcjellë shqetësimet e shprehura nga vende si Gjermania, Franca dhe Holanda. Këto vende kanë shfaqur rezervat e tyre edhe për çështje të tjera që lidhen me klimën e investimeve dhe procedurat e prokurimeve publike në Shqipëri.
Pas këtij komunikimi, Rama ka vendosur të anulojë udhëtimin në Vlorë dhe të angazhohet në kontakte telefonike me kancelari europiane, në përpjekje për të zbutur tensionet dhe për të shmangur një përshkallëzim diplomatik.
Ndërkohë, mazhoranca vijon të zvarrisë votimin në Kuvend për autorizimin e arrestimit të Belinda Ballukut, duke e kushtëzuar procesin me një vendim të Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e saj nga detyra. Opozita dhe kritikët e qeverisë e shohin këtë si një strategji për të djegur afatet ligjore dhe për të penguar veprimin e SPAK.
Sipas burimeve, çështja Balluku tashmë ka tejkaluar kufijtë e politikës së brendshme dhe është shndërruar në një test të drejtpërdrejtë të kredibilitetit të Shqipërisë në raport me Bashkimin Europian. Mesazhi nga Brukseli, ndonëse jo publik, është i qartë: çdo pengesë ndaj drejtësisë në raste simbolike të korrupsionit mund të ndikojë negativisht në rrugën e integrimit europian të vendit.
